Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka njoftuar se sot ka filluar projekti i Bashkimit Evropian për deminim të Kosovës, në bashkëpunim me “TheHaloTrust” dhe me “Ndihmën Popullore Norvegjeze”.
Ai njoftoi se për këtë projekt BE i ka ndarë pothuajse katër milionë euro.
“Krenar që lançojmë sot projektin e BE-së në Kosovë për deminim me partnerët tanë zbatues “TheHALOTrust” dhe Ndihma Popullore Norvegjeze. BE-ja do të investojë pothuajse 4 milionë euro për pastrimin dhe çlirimin për përdorim të sigurt të zonave të prekura nga minat dhe mbetjet e municioneve thërrmuese”, ka shkruar ambasadori.
Zonat të cilat do të deminohen sipas Szunyog, përfshin kryesisht male, pyje, kullota dhe toka bujqësore.
“Zona që do të pastrohet, përfshin kryesisht male dhe pyje dhe kullota dhe tokë bujqësore. Duke bashkuar forcat dhe financimin në deminim, me @StateDept dhe @NorwayMF, ne do ta bëjmë Kosovën më të sigurt për komunitetet e saj dhe do të kontribuojmë në zhvillimin social ekonomik”, ka thënë ai.
Ky projekt sipas tij ka për qëllim ta bëjë Kosovën vend sa më të sigurt.