Koreja Veriore ka njoftuar të premten se ka lëshuar qëllimisht një raketë balistike ndërkontinentale për t’i “trembur armiqtë”, teksa Koreja Jugore dhe Japonia, gjatë një samiti të përbashkët, u pajtuan të punojnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për sigurinë rajonale.
Raketa e Koresë Veriore u lëshua të enjten në mëngjes, disa orë para se presidenti i Koresë Jugore, Yoon Suk Yeol, të takonte kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, në një samit që kishte si qëllim rikthimin e lidhjeve të sigurisë, përballë të kërcënimeve bërthamore nga Koreja Veriore.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, po përpiqet t’i forcojë aleancat e saja në Azi, për të kundërshtuar kërcënimin bërthamor të Koresë Veriore dhe ndikimin në rritje të Kinës.
Një nga këto përpjekje është t’i përmirësojë lidhjet Kore e Jugut – Japoni, që janë ftohur viteve të fundit për shkak të çështjeve historike.
Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut ka thënë se lideri Kim Jong Un mbikëqyri testimin e raketës Hwasong-17 dhe ka theksuar nevojën për t’i “trembur armiqtë” mbi atë që e ka quajtur “armiqësinë e hapur të treguar ndaj vendit të tij nga stërvitjet ushtarake ShBA-Kore e Jugut”.
Shumë ekspertë thonë se Koreja Veriore përdor stërvitjet e rivalëve të saj si një pretekst për të zgjeruar në mënyrë agresive arsenalin e saj bërthamor dhe aftësinë e përgjithshme ushtarake.
Ata thonë se vendi synon të detyrojë SHBA-në të pranojë statusin e tyre si një fuqi bërthamore dhe të negociojë përfundimin e sanksioneve ndaj tij nga një pozicion fuqie.
Koreja Veriore, vitin e kaluar, ka miratuar ligjin për shpallje të vetes si shtet me armë bërthamore. Lideri i shtetit, Kim Jong-un, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje.
Pheniani zyrtar ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017, pavarësisht sanksioneve.
Ky shtet në lindje të Azisë dënon vazhdimisht sanksionet dhe deklaron se sistemi bërthamor i duhet për qëllime të mbrojtjes.