Organizata e Kombeve të Bashkuara ka konfirmuar se po kryejnë një “operacion të sigurt evakuimi”, të civilëve nga fabrika e çelikut në Mariupol të Ukrainës.
Kështu ka deklaruar për Reuters, zëdhënësi i zyrës së OKB-së për Koordinim dhe Çështje Humanitare, Saviano Abreu.
Të dielën e një majit, Abreu ka thënë se ky operacion ka nisur më 29 prill dhe i njëjti po realizohet në koordinim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Rusinë, Ukrainën.
Sipas tij, ekipet kanë arritur në fabrikën Azovstal mëngjesin e të shtunës, por nuk ka dhënë më shumë detaje, duke u arsyetuar se këto mund të rrezikojnë sigurinë e të evakuuarve, shkruan REL.
Po ashtu, edhe Kryqi i Kuq nuk ka pranuar të japë detaje, derisa vetëm ka konfirmuar se operacioni është duke u zhvilluar.
“Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq konfirmon se po zhvillohet operacioni i evakuimit, në koordinim me OKB-në dhe palët e tjera të përfshira në konflikt”, ka thënë një zëdhënës i kësaj organizate.
Ndërkaq, sipas Kombeve të Bashkuara, rreth një mijë civilë gjenden në fabrikën e çelikut Azovstal, që është pjesa e vetme e Mariupolit që nuk është nën pushtimin rus.
Kjo organizatë beson se afër 100 mijë civilë gjenden brenda qytetit të Mariupolit.
Ndryshe, luftëtarët ukrainas që gjenden në fabrikën e Azovstalit kanë publikuar video më 30 prill, përmes së cilës kanë bërë thirrje për ndihmë, ngase po iu mbarojnë furnizimet me ushqim, ujë e furnizime të tjera.