Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është takuar me të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Këtë takim, Kurti e zhvilloi një ditë para takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Emisari amerikan, Gabriel Escobar, gjatë të premtes së 17 marsit, është pritur në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Pas takimit me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një konferencë për media, ka thënë se pritet që marrëveshja të ketë rezultate konkrete dhe se rendi kushtetues i Kosovës do të ruhet.
Osmani ka thënë se përgjatë gjithë dialogut Kosovë-Serbi, në çdo proces duhet të ruhet rendi kushtetues dhe integriteti territorial i Kosovës, derisa ka shtuar se përmes këtij propozimi evropian për dialog, një tjetër rezultat pozitiv do të jetë kontributi për paqen.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuca, pas takimit me emisarin amerikan Gabriel Escobar, ka riktheksuar se asnjëherë nuk do ta humbin fokusin nga njohja e plotë, “dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë, duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.
“Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel”, ka thënë Konjufca