Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA) Joe Biden ka mirëpritur lëshimin e një urdhërarresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale kundër homologut të tij rus, Vladimir Putin.
GJNP-ja akuzoi presidentin Putin për kryerjen e krimeve të luftës në Ukrainë, gjë për të cilën presidenti Biden tha se lideri rus e kishte bërë “qartë”.
Pretendimet e GJNP-së fokusohen në deportimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi që nga pushtimi i Moskës në vitin 2022.
Moska i ka mohuar akuzat.
Rusia nuk është një vend anëtar i GJNP-së, që do të thotë se gjykata e vendosur në Hagë nuk ka autoritet atje.
Megjithatë, kjo mund të ndikojë presidentin Putin në mënyra të tjera, siç është pamundësia për të udhëtuar ndërkombëtarisht. Ai tani mund të arrestohet nëse shkel në ndonjë nga 123 shtetet anëtare të gjykatës.
Putin është vetëm presidenti i tretë që i është lëshuar një urdhërarrest nga kjo gjykatë.
Presidenti Biden tha se, ndërsa gjykata gjithashtu nuk kishte asnjë ndikim në SHBA, lëshimi i urdhrit “përbën një pikë shumë të fortë”.
“Ai ka kryer qartazi krime lufte,” u tha ai gazetarëve, transmeton BBC.
Administrata e tij kishte deklaruar zyrtarisht më parë se Rusia kishte kryer krime lufte gjatë konfliktit në Ukrainë, me nënpresidenten Kamala Harris duke thënë në shkurt se të përfshirët “do të mbaheshin përgjegjës”.
Kombet e Bashkuara publikuan gjithashtu një raport në fillim të kësaj jave që zbuloi se largimi i detyruar i Moskës i fëmijëve ukrainas në zonat nën kontrollin e saj përbënte një krim lufte.
Ngga ana tjetër, prokurori i GJNP-së, Karim Khan, ka thënë se urdhrat janë “bazuar në provat mjekoligjore, shqyrtimin dhe atë që është thënë nga këta dy individë”.
Gjykata fillimisht kishte konsideruar mbajtjen e fshehtë të urdhrave të arrestit, por vendosi t’i bënte ato publike për të provuar dhe ndaluar kryerjen e krimeve të mëtejshme.
“Fëmijët nuk mund të trajtohen si plaçkë lufte, ata nuk mund të deportohen,” tha zoti Khan për BBC.
Khan theksoi gjithashtu se askush nuk mendonte se Slobodan Millosheviç, lideri serb që doli në gjyq për krime lufte në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë në vitet 1990, do të përfundonte në Hagë për t’u përballur me drejtësinë.
“Ata që mendojnë se mund të kryeni një krim gjatë ditës dhe të flenë mirë gjatë natës, ndoshta duhet të shikojnë historinë,” tha Khan.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se çdo vendim i gjykatës ishte “i pavlefshëm”.
Aktivistët e opozitës ruse e kanë mirëpritur njoftimin. Ivan Zhdanov, një aleat i ngushtë i liderit të opozitës të burgosur Alexei Navalny, ka postuar në Twitter se ishte “një hap simbolik”, por një hap i rëndësishëm.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur falënderimet e tij për Khan dhe GJPN-në për vendimin e tyre për të ngritur akuza kundër “të keqes shtetërore”.