Takimi i familjarëve të të zhdukurve në Kosovë ka nisur me kritika për qasjen e institucioneve karshi kësaj çështjeje.
Nga anëtarët e Këshillit të Familjarëve është thënë se duhet më seriozitet dhe të bëhet më shumë për zbardhjen e fatit të personave që ende nuk janë gjetur edhe pas më shumë se dy dekadash nga lufta.
“E dimë situatën e përgjithshme me çështjen e dhimbshme që jemi dy dekada në aktivitet dhe besoj që ka ardhur koha kur duhet të kemi një qasje serioze, sepse edhe çështja është shumë serioze por është shumë e ndërlikuar dhe do qasje ekipore dhe profesionale dhe të çdo mekanizimi në ndriçimin e fatit të njerëzve që i kemi kërkojmë dhe do t’i kërkojmë”, ka thënë Haki Kosumi.
“Një prej çështjeve të dhimbshme për të cilën kemi shtruar çështje, kemi mbajtur konferenca e takime që kemi biseduar dhe kemi marrë informacione por më lejo drejtor që ka ardh që je prezent ne nuk kemi arrit me pas një pasqyrë të qartë me gjendjen e atyre pjesëve trupore të atyre njerzve” ka thenë Haki Kosumi.
Në këtë takim është edhe ushtruesi i detyrës se drejtorit të IML, Ditor Haliti, i cili është duke njoftuar për gërmimet që janë bërë. Në të po marrin pjesë komisioni qeveritar për të pagjeturit, Policia e Kosovës që ka njësi për krime lufte. Pritet të marrë pjesë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar i Kosovës.
Aktualisht, kryesuesi i Komisionit për të pagjeturit, Andin Hoti, po qëndron në Ohër të Maqedonisë krahas kryeministrit Kurti.