Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se në planin franko-gjerman nuk përmendet drejtëpërdrejt Lugina e Preshevës, por sipas tij, në preambulën e dokumentit përmendet çështja e trajtimit të barabartë dhe reciprok të pakicave.
“Shpresoj të ketë një dakordim sot për çështjet e mbetura nga takimi i kaluar, dhe pse nuk mund të pritet ndonjë nënshkrim spektakolar, sepse ky do të jetë një proces”, ka thënë Kamberi.
Kamberi në edicionin special të RTV Dukagjinit ka thënë se nënshkrimi përfundimtar i marrëveshjes do të sjellë një situatë dhe mundësi të re edhe për Luginën e Preshevës.
Ai ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të duhej të sillte edhe normalizimin e trajtimit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës nga Serbia.