Lutfi Haziri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i pyetur për pritshmëritë nga takimi në Ohër në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se është e vështirë të thuhet se çfarë po pritet për më tutje pasi ende nuk dihet se do të formalizohet marrëveshja apo jo.
“Tanimë këto bisedime janë fokusuar në aneks-dokumentin që pritet të bëhet pjesë integrale, hyn në fazë të re të implementimit të kësaj marrëveshjeje. Nëse ky implementim fillon nga neni 7, dhe obligimet që merr Kosova sa i përket Asociacionit që aneks dokumenti parasheh, do të jetë e vështirë të shohim këtë fazë kur po pritet për më tutje se a do të formalizohet marrëveshja apo jo”, ka thënë Haziri.
Haziri për RTV Dukagjini ka thënë se qëndrimi i LDK-së në lidhje me planin evropian është se ky plan sipas tij ka disa probleme, pasi nuk ka në qendër njohjen reciproke dhe sipas tij është marrëveshje e përkohshme.
“Ka katër probleme kryesore, përvec që e kemi njohjen e ndërsjellë është edhe e marrëveshje e përkohshme. Statusi politik poashtu është çështje që Serbia dhe Kosova janë dakorduar të mos e paragjykojnë”, ka vijuar Haziri.
Sipas tij, politika e kryeministrit Kurti në lidhje me dialogun është në regres.
“Palët duhet ta miratojnë sipas procedurave të brendshme, regres i madh, politika e Kurtit është dy hapa mbrapa në zgjidhjen e problemeve”, ka thënë ai.