Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk zhgënjejnë dhe se në to duhet pasur besim të plotë.
Në një intervistë për RTV Dukagjini direkt nga Ohri i Maqedonisë, ministri Osmani ka thënë se e sotmja nuk paraqet një ditë të zakonshme dhe se janë shembulli më i mirë për besimin në SHBA-në.
“Nuk mendoj që është ditë e zakonshme për dialogun, ashtu janë pritjet se mund të jetë një ditë e rëndësishnme”, ka thënë ai, gjersa ka theksuar se “Neve nuk ka zhgënjyer asnjëherë besimi në shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe kur kemi pasur marrëveshje të shkruara, por edhe çështje që nuk kanë qenë të shkruara…Ky është mesazhi jonë. ShBA-të nuk zhgënjejnë, nuk na kanë zhgënjyer asnjëherë, besimi tek ta duhet të jetë i plotë”.
Ndër të tjera, ministri ka deklaruar se Maqedonia e Veriut është aty për të inkurajuar palët dhe për të shërbyer si një shembull. Krahas kësaj, ai ka thënë se një mossukses në Ohër të shtunën mund ta vështirësojë dialogun apo suksesin e së nesërmes.
Takimi i shumëpërfolur i nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të zhvillohet sot, e shtunë, në Ohër të Maqedonisë. Ndërsa, pritet të fillojë nga ora 13:30.