Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka udhëtuar për në Zvicër dhe atje është pritur nga bashkatdhetarët në këtë shtet.
Haradinaj ka thënë se nga afër ka parë suksesin që kanë shënuar shqiptarët nga trevat shqiptare që jetojnë në Zvicër dhe veprojnë atje.
“Sonte u ndjeva jashtëzakonisht mirë tek Familja Lika, ku së bashku me kolegë deputetë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë, patëm rastin të shohim për së afërmi suksesin e tyre dhe suksesin e shumë shqiptarëve nga të gjitha trojet, që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër”, ka shkruar Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka shtuar se çdo rrugëtim dhe secila kauzë kombëtare lidhet me burrat dhe gratë që ishin në mërgim.
“Ëndrra dhe brenga e secilit mërgimtar është atdheu, është e ardhmja e shtetit dhe kombit tonë. Secili rrugëtim i vendit, secila kauzë kombëtare dhe nismë shtetërore lidhet me burrat dhe gratë që ishin në mërgim”, ka shtuar tutje ai.
“Më vjen mirë që sot po shoh shumë të rinj, të cilët kanë arritur majat e suksesit, si në ekonomi, gastronomi, mjekësi, shkencë e në të gjitha fushat. Sonte, më bëtë krenar mua, kombin dhe gjithë Kosovën. Faleminderit për mikpritje”, ka përfunduar Haradinaj.