Bekim Kupina këshilltari i Presidentes së Kosovës për RTV Dukagjinin, ka treguar se çfarç pritjesh ka presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas dakordimit të Aneksit të Marrëveshjes bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kupina ka thënë se presidentja Osmani nuk ka asnjë pritje që Serbia do ta respektojë zbatimin e planin evropian.
“Nga Serbia nuk kam asnjë pritje. Ata do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet”, e ka thënë qëndrimin e Osmanit këshilltari Kupina për RTV Dukagjinin.
“Nëse dëshirojmë zbatim të mirëfilltë të marrëveshjes duhet të ndryshohet qasja akomoduese ndaj regjimit të Serbisë dhe të penalizohet secili tentim i tyre për destabilizim të situatës në terren, si dhe jokonstruktiviteti e bllokada e tyre e vazhdueshme”.
Më tej, Kupina ka treguar që presidentja pret zotimin e zbatimin e premtimeve që aleatët i kanë dhënë Kosovës pasi pala kosovare është treguar konstruktive në dialogun ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Tani që u dakordua edhe aneksi i marrëveshjes bazë dhe Kosova u dëshmua të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar në paqe e stabilitet, pres të realizohen zotimet e aleatëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse”.