Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, teksa ka komentuar takimin në Ohër në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u ka bërë thirrje partive politike që ta mbështesin qeverinë në zbatimin e marrëveshjes.
Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka theksuar se tani është tepër vonë për të vajtuar apo lavdëruar atë që ndodhi.
“E djeshmja nuk ishte një ëndërr por një realitet. Në këtë situatë të re, t’i lëmë mënjanë (për një moment) analizat e rrethanat pse e si ndodhi, inatet e lëvdatat dhe ti drejtohemi së ardhmes. Nuk besoj se ka njeri në Kosovë që nuk i pëlqen perspektiva paqësore e rrugëtimit tonë. U bëj thirrje të gjitha partive politike, shoqërisë civile dhe çdo qytetari që të mbështes qeverinë në zbatimin me përgjegjësi të detyrimeve që dalin nga kjo marrëveshje”, shkroi Pacolli.
Nga ana tjetër, sipas tij, kryeministri duhet të kuptojë se bashkëpunimi me faktorë të tjerë në Kosovë është i pashmangshëm.
“Së bashku jemi më të ditur dhe më të fortë. Kosova mbi të gjitha”, shtoi Pacolli.
Ndryshe, Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve.
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë më 18 mars se edhe pse palët kanë vendosur të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ato janë pajtuar që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.