Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se e mirëpret vendimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për urdhërarrestin e lëshuar ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Sipas tij, kjo është nisje e kërkimit të përgjegjësisë për krimet e luftës të kryera nga agresioni rus në Ukrainë.
“BE-ja e sheh vendimin e Gjykatës si një fillim të procesit të llogaridhënies dhe mbajtjes së liderëve rusë përgjegjës për krimet dhe mizoritë që ata urdhërojnë, mundësojnë ose kryejnë në Ukrainë. BE-ja shpreh gjithashtu mbështetjen e saj për hetimet nga Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Ukrainë dhe bën thirrje për bashkëpunim të plotë nga të gjitha shtetet palë”, ka thënë Borrell.
Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhërarrestim për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë se është përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, që përbën krim lufte.
Në deklaratën e gjykatës u tha se urdhërarrestimi është lëshuar edhe për Maria Lvova-Belova, zyrtare ruse për të drejtat e fëmijëve, e cila dyshohet se drejton dëbimin e fëmijëve ukrainas për në Rusi.
Të dy dyshohen se “kanë kryer vepra vetë, bashkërisht me persona të tjerë apo përmes personave të tjerë”, u tha në njoftimin e gjykatës.
Aty po ashtu u tha se Putin ka dështuar “të ushtrojë kontrollin e duhur mbi vartësit civilë dhe ushtarakë që kryen veprat, ose lejoi kryerjen e tyre”. Sipas gjykatës, vartësit ishin “nën kontrollin efektiv të tij [Putinit], në përputhje me përgjegjësinë superiore”.
“Ka arsye për të besuar se çdo i dyshuar është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse, sa i përket fëmijëve ukrainas”, tha Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Me këtë urdhërarrestim, Putin bëhet kreu i tretë në botë, që gjatë kohës në pushtet, është përballur me urdhër-arrest ndërkombëtar nga tribunave për krime lufte, së bashku me liderin sudanez, Omar al-Bashir dhe atë të Libisë, Muammar Gaddafi.