Zëvendëskryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka bërë të ditur se e mbështet marshin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Mustafa ka theksuar ky institucion (Gjykata Speciale), është ngritur mbi shpifje dhe jo mbi drejtësi.
“Proces politik, jo gjyqësor. Institution i ngritur mbi shpifje, jo i drejtësisë. Prandaj, në emrin tim dhe të Partisë Demokratike Shqiptare, mirëpres dhe mbështes marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa ‘Liria Ka Emër’, në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre në Hagë”, ka shkruar Mustafa.
Mustafa, gjithashtu, ka ftuar të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës që t’i bashkon këtij marshi solidarizues.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës që t’i bashkohen këtij marshi solidarizues, për të shprehur hapur mbështetjen dhe bindjen e palëkundur mbi pastërtinë dhe drejtësinë e luftës tonë çlirimtare”, ka shtuar Mustafa.
Ky marsh do të mbahet të dielën e 2 prillit në Prishtinë, të cilin e organizon platforma “Liria ka emër” në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.
Marshi do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.
Ideatorët e platformës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, në një konferencë për media, kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.