Krerët e Listës Serbe ia kanë rikonfirmuar të hënën ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës.
Këto zgjedhje do të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre më 18 dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.
Përmes një komunikate për media, Lista Serbe ka thënë se do ta mbajë këtë qëndrim derisa të plotësohen dy kushte: formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale nga veriu i Kosovës.
“Partia jonë mbetet konsistente në qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme lokale në komunat e veriut të Kosovës derisa të plotësohen kërkesat që na bënë të largohemi nga institucionet e Kosovës, si formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Prishtinës nga veriu i Kosovës”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka caktuar 22 marsin si afatin e fundit të aplikimit për pjesëmarrje në këto zgjedhje.
Sipas KQZ-së, deri më tani janë të certifikuar 11 kandidatë për të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor.
Të 11-it janë të certifikuar nga afati paraprak, i dhjetorit të vitit të kaluar, kur ishte planifikuar të mbaheshin zgjedhjet, pasi në afatin e ri të hapur në mars, nuk është dorëzuar asnjë aplikim shtesë.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre në nëntor të vitit të kaluar.
Dorëheqjet e tyre, si dhe dorëheqjet kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, kanë qenë shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se të hënën ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në katër komunat, Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok po ashtu edhe për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill.
Sipas njoftimit të KQZ-së, afati i aplikimit për këtë periudhë do të përfundojë më 27 mars.
“Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna. Gjithashtu, edhe ata që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë”, thuhet në njoftim.
Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës janë publikuar në webfaqen e KQZ-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë qytetarët me të drejtë vote, që jetojnë jashtë Kosovës dhe që i plotësojnë kriteret ligjore përkatëse – që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj, pas regjistrimit, të votojnë përmes postës gjatë periudhës e cila fillon më 8 prill dhe përfundon më 21 prill 2023.