Në mars janë bërë dy vite që kur në Kuvendin e Kosovës u formua grupi parlamentar i përbërë nga deputetë të komunitetit boshnjak, turk, egjiptian, rom dhe ashkali.
Dy vite pas, një marrëveshje e nënshkruar mes palëve, duket se nuk po zbatohet.
Gjatë muajit shkurt, ishte deputetja nga radhët e këtij grupi, Duda Balje ajo që paralajmëroi se kanë kërkuar që të shkarkohet nënkryetari i Kuvendit që vinte nga grupi multientnik, Bekim Arifi.
Kjo pasi që marrëveshja parashihte që Arifi të mos e mbante pozitën deri në fund të mandatit.
“Ne kur kemi nda pozitat, patëm vendos të kemi rotacion me qëllim që çdo komunitet të kishte përfaqësuesin e tyre në kryesi brenda mandatit. Na kemi ba marrëveshje që zotëri Bekim Arifi me kanë i pari pastaj e kemi nda që pas dy viteve të ndërrohet. Tash koha e zoterit Bekimi ka kalu dhe kemi kërku që dikush tjetër nga grupi multietnik me dal”, ka thënë deputetja Duda Balje.
Por marrëveshja, sipas Baljes, nuk është respektuar nga Arifi, duke çuar në formalizimin e kërkesës për shkarkimin e tij.
“Tash zoteri Bekim e ka shfrytëzu momentin që okej unë dal nga kjo pozit por duhet të votohet në Kuvend, tash ne kemi ardhë në pozitë që duhet për ta ndërruar anëtarin ne duhet të hedhim në kuvend për votim dhe duhen 81 vota”, shtoi ajo.
Televizioni ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga vetë Arifi, por i njëjti nuk është përgjigjur ndërsa nga stafi i tij, janë arsyetuar si njëjti ka agjendë të ngjeshur.
Megjithatë, propozimi i Grupit parlamentar “Multietnik” për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekim Arifi, figuron në agjendë për seancën e 22 marsit, por vështirë se do t’i vijë radha për trajtim në kuvend.