Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës kanë vazhduar me ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”.
Ky çmim për javën e 26-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit, Ardian Muja, pjesë e klubit nga Mitrovica, Trepça’89.
Komisioni vlerësoi se lojtari Trepçës ’89, Ardian Muja ishte më i miri i kësaj jave.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Avni Shala, Enes Shosholli dhe Isuf Llumnica.
Muja u shpreh i lumtur për çmimin e fituar, por theksoi se në këtë edicion rëndësi kanë pikët për skuadrën, në mënyrë që sa më herët ta sigurojë mbetjen në Superligë.
“Personalisht është ndjenjë e mirë jam shpallur ‘Ylli i Javës’, mirëpo e rëndësishme është fitorja që e arritëm kundër Dukagjinit. Këto tri pikë janë shumë të mirëseardhura për ne për vazhdimësinë e kampionatit, duke e ditur pozitën në të cilën ndodhemi aktualisht në tabelë. Një falënderim për shokët e skuadrës për angazhimin dhe për fitoren e kësaj jave, e ku me ndihmën dhe meritën e tyre edhe unë arrita performancë të mirë dhe në fund të vlerësohem edhe si më i miri i javës. Shpresoj që kjo fitore të jetë pikë kthese për KF Trepça ’89 FC dhe të vazhdojmë me rezultate pozitive, në mënyrë që në fund të arrijmë objektivin tonë që është mbetja në Superligë”, ka theksuar Muja për faqen zyrtare të FFK-së pas marrjes së çmimit.