Shefi i Diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në takimin e mbrëmshëm me qytetarë ka mbajtur fjalim për takimin e së shtunës në Ohër në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.
Ai tha se e shtuna ishte dita kur është ndier më krenar se kurdo në jetë që është pjesë e BDI-së dhe se është përkrah Ali Ahmetit.
“Çka është e përbashkët për çështjen e Kosovës, NATO-n, BE-në, Marrëveshjen e Ohrit, atë të Prespës, atë të fqinjësisë së mirë me Bullgarinë? Një gjë është e përbashkët, dhe besoj se gjithë e dini. Është Ali Ahmeti! Prandaj ishte aty për të qenë inkurajues, nëpërmes shembullit të vet, për të marr vendime largpamëse. Dhe, nga ajo fjali e tij, drejtuar delegacionit të Kosovës, se kjo ditë është dita më e rëndësishme për të gjithë ne dhe kur të futeni atje në sallë ta dini se ne na keni mbrapa. Është fjalia që më ka rrëqeth dhe do të mbetet në kujtimet e mia, për rolin e Ali Ahmetit në këto procese të vështira”
Osmani ka kujtuar se Ali Ahmeti ka përmbyllur kapitullin e parë të aktivitetit politik, duke rrumbullakuar barazinë e shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq tashmë ka hapur kapitullin e dytë, që është cilësia e jetës dhe se tani është koha për BE.