Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e saj izraelit, Isaac Herzog.
Kjo bisedë është zhvilluar në vazhdën e komunikimeve të presidentes me homologë të shteteve mike.
Potenciali i rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, trashëgimisë kulturore dhe inovacionit, ishin ndër temat për të cilat presidentët e dy vendeve kanë diskutuar.
“Në këtë bisedë telefonike në mes të krerëve të shtetit të Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit, të dy liderët kanë biseduar për raportet bilaterale në mes të dy shteteve dhe mundësinë e thellimit të tyre. Presidentja Osmani dhe Presidenti Herzog, diskutuan për potencialin e rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, trashëgimisë kulturore dhe inovacionit, ndërsa vlerësuan lartë partneritetin në rritje në mes të dy vendeve. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit diplomatik, për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Tutje thuhet se Herzog ka falënderuar presidenten Osmani për mbështetjen e Kosovës dhe e ka ftuar për vizitë zyrtare në Izrael.