Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit goditet rëndë Serbia “për diskriminimin sistematik shtetëror e institucional që, ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, po zbatohet ndër vite”.
Kamberi e ka cituar një pjesë të raportit ku thuhet se shqiptarët në Serbi janë diskriminuar në shumë sfera.
“Shqiptarët etnikë ishin subjekt i diskriminimit dhe papunësisë… Qeveria padrejtësisht i bëri shqiptarët subjekt të pasivizimit për të zvogëluar numrin e shqiptarëve etnikë që jetojnë në Serbi,” thekson raporti i DASH-it.
Sipas Kamberit, raporti i DASH-it nënvizon edhe çështjen e nënpërfaqësimit të shqiptarëve nëpër institucionet publike e shtetërore, “që është forma më e vrazhdë e diskriminimit dhe mosrespektimit të obligimeve ndaj komunitetit shqiptar, të cilat Serbia ia ka marrë me tri marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit shqiptarë: 2001, 2009 dhe 2013”.