Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar Deçanin në javën e shënimit të “Epopesë së Dukagjinit”, të martën e 21 marsit.
“Sot, në Deçan, në javën e shënimit të ‘Epopesë së Dukagjinit’, kisha kënaqësinë të vizitoj panairin e librit dhe njëkohësisht të marr pjesë në promovimin e librit ‘Komiteti i Deçanit’ nga veprimtari i çështjes kombëtare, njëri prej themeluesve të Komitetit të Deçanit – LNÇKVShJ, profesori Hasan Ukëhaxhaj, i cili trajton gjendjen e rënduar të shqiptarëve në shekullin XX, e cila ka pasur pasoja të thella në zhvillimin, avancimin dhe shtetndërtimin e kombit shqiptar si tërësi”, ka shkruar Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka shkruar se nuk ishte rastësi që protagonistët e asaj kohe kanë bartur mbi supe vlera të çmuara atdhetare, duke frymëzuar shumë gjenerata të tjera, jo vetëm në Deçan, por edhe në viset e tjera.
“Komiteti i Deçanit, intelektualët e atdhetarët e atij brezi ishin motiv për shumë figura për të guxuar për më shumë”, ka shruar tutje Haradinaj.
Haradinaj ka theksuar se dokumentimi i këtyre ngjarjeve historike do t’i shërbejë brezave të ardhshëm për informimin dhe vetëdijësim për rolin e shumë gjeneratave që kanë dhënë kontribut të madh për çështjen kombëtare.