Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka folur për nenin 7 të Aneksit të Planit Evropian, ka thënë se fjala komunitet me fjalën komunë nuk duhet të krahasohet, madje as me fjalën asociacion.
Ndonëse sipas Kurtit, ato nuk janë tërësisht të pavarura dhe nuk janë të ndashme nga njëra-tjetra në mënyrë absolute, por siç thotë ai janë larg prej së njëjtës gjë.
Këto komente Kurti i bëri në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të mërkurën e 22 marsit.
“Kur themi komuniteti serb, atëherë automatikisht shkojmë te marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave sipas Këshillit të Evropës. Kjo është platforma, regjistri për të cilin kuptohemi dhe angazhohemi për komunitetet. Nuk e mohojmë asnjëherë që janë bërë dy marrëveshje nga paraardhësit tanë të cilat janë shumë të cenuara në të kaluarën. Nuk bën të krahasohet fjala komunitet me atë komunë as me fjalën Asociacion, ashtu qysh nuk mund të barazohet fjala popull me Republikë, nuk barazohen këto dy gjëra”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit ka theksuar se në Nenin 7 të marrëveshjes bazë thuhet një nivel adekuat i vetëmenaxhimit të komunitetit serb.
“Thuhet komunitetit dhe jo komunave, që nuk është kategori territoriale, komunat janë njësi territoriale dhe administrative por nuk janë e njëjta gjë”, shtoi Kurti.
Po ashtu, Kurti potencoi se dialogu nuk është top prioritet i tij.
“Nëse shihni nga angazhimi im ditor, javor e mujor nuk është dialogu top prioritet, unë në vikend isha në Ohër, tash nuk jam në Ohër, kam angazhime të tjera. Tjetër gjë është interesimet e dikujt çka transmeton, nëse unë flas 5 minuta dhe 1 minut ia kushtoj dialogut, nëse transmetohet ajo për dialogun nuk është përgjegjësi e imja. Marrëveshja e vitit 2013 ekziston, por e njëjta është shkelur nga të dyja palët dhe ka vendim më pas të Gjykatës Kushtetuese”.
Kurti e ka komentuar edhe mosreagimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Sipas tij, nuk është e thënë që secili udhëheqës institucional të deklarohet për çështje të ngjashme.
“Nuk janë modelet e vjetra, ne jemi bashkë, nuk do të thotë që duhet patjetër që presidentja të ketë një mendim për një çështje. Për këtë atëherë duhet të shohim edhe mendimet e të gjithëve, por kjo nuk ka nevojë”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se marrëveshja në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paraqet një pikë kthese në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.
Në një intervistë që Lajçak dha për Radion Evropa e Lirë dhe Euronews në Serbi – të parën prej se Kurti dhe Vuçiq u pajtuan për të zbatuar Marrëveshjen e BE-së, më 18 mars në Ohër – ai nënvizoi se të dyja palët duhet t’i zbatojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Lajçak teksa ka folur për ngjashmëritë apo dallimet mes vetëmenaxhimit të komunitetit serb dhe asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ka thënë se Neni 7 nuk përfshin zotime të reja për Kosovën.
Derisa është pyetur se a nënkupton kjo krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lajçak e pohoi të njëjtën.
“Po”.
“Dua të jem i qartë, Neni 7 nuk përfshin zotime të reja për Kosovën. Neni 7 flet për nevojën e zbatimit të asaj për të cilën Kosova dhe Serbia veçse janë pajtuar. Kjo nënkupton marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, që flasin që themelimin e një lloj asociacioni të komunave me shumicë serbe. Përndryshe, kjo do të nënkuptonte Nenin 10, që thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, plus Nenin 7, pra aranzhime shtesë, që nuk do të kishte logjikë”.