Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka njoftuar se është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter, Szunyog ka thënë se gjatë këtij takimi është diskutuar për zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Duke iu drejtuar partive opozitare, sot në mëngjes u takova Lumir Abdixhikun dhe lidershipin e LDK-së për të diskutuar nevojën e mbështetjes së tyre për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ai.
Reaching out to the opposition parties, this morning I met @LumirAbdixhiku and the #LDK leadership to discuss the need for their support for the immediate implementation of the Agreement on the path to normalisation between 🇽🇰#Kosovo & 🇷🇸#Serbia➡️ https://t.co/HX99PkG81R. pic.twitter.com/BNubQp2EB7
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) March 22, 2023
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë më 18 mars se edhe pse palët kanë vendosur të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ato janë pajtuar që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.