Plani i zbatimit të marrëveshjes i propozuar nga Bashkimi Evropian, sipas deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, i konvenon në tërësi Serbisë.
Berisha në emisionin “Five”, tha se Kosova nuk ka fituar asgjë nga marrëveshja me Serbinë, teksa shtoi se Qeveria aktuale e ka dobësuar pozicionin e saj në dialog.
“Nuk ka pasur asgjë fitore për Kosovën, Kosova është kthyer nga një proces që ishte në fund me njohje në qendër, tani në riformatim, me situata që u krijuan në veri e ka dobësuar pozicionin e Kosovës në dialog. Kemi ardhur në situatë që termat teknikë janë kthyer në kushte”, ka thënë ai.
Berisha e përmendi nenin 7 të planit evropian, duke thënë se krijon pushtet të tretë në Kosovë.
Po ashtu, Berisha theksoi se me këtë marrëveshje është tjetërsuar pronësia shqiptare e kishave ortodokse në Kosovë.
“Kemi hyrë në një proces që Seria del tërësisht fituese. Plani evropian në pikën 7 e avancon statusin e kishës ortodokse, me një status të barabartë ambasadat në një shtet brenda shtetit. E tjetërson pronësinë ortodokse shqiptare, ia subordinon pastaj kishës serbe dhe ruse. Predikon formimin e vojvodëve dhe policisë apo mbrojtjen e fortë siç thuhet”, ka thënë ai.
Sipas Berishës, Serbisë i hiqet detyrimi për ta njohur Kosovën, dhe, sipas tij, fajtor për të është Kurti.