Këtë javë në emisionin “Jeto” me Xheneta Asllanin në Radio Dukagjini, në kuadër të bisedës me profesionistin shëndetësor u diskutua për sindromën Down.
Dje ishte dita botërore e sindromës Down, e sonte në emisionin “Jeto”, psikologu këshillues dhe shkollor, Leotrim Edipi foli për përfshirjen e fëmijëve me këtë sindrom në shoqërinë tonë.
Edipi deklaroi se kjo sindromë ka ekzistuar që nga ekzistenca e njerëzimit, mirëpo termi Down i është dhënë në vitin 1866, nga John Down. Ai shtoi se ky sindrom prek fëmijë nga të gjitha racat, gjinitë, ambientet, asnjë nga këto nuk kanë ndikim. Shton se ka ndikim aspekti gjenetik, mirëpo nuk ka çartësi ende se cili është shkaktari i sindromës.
Psikologu shtoi se ekzistojnë shumë mite për këtë sindromë e që nuk qëndrojnë, si fakti që mund të kemi dëgjuar se të prekurit me sindromën Down nuk jetojnë gjatë. Edipi deklaroi se jeta tek këta persona varion diku tek 60 vjeç. Thotë se ky mit mund të ketë lindur në të kaluarën kur njerëzit nuk kanë qenë të vetëdijshëm si t’i trajtojnë problemet fizike që vijnë nga kjo sindromë, mirëpo tash janë, madje që nga shtatzënia ka teste që mund të detektohet ky sindrom dhe të merret trajtimi i duhur.
Në vendin tonë, psikologu thotë se ekziston një progres i lehtë në lehtësimin e jetesës për njerëzit me sindromën Down, mirëpo ende ka hapësirë të punohet. Përfshirja e tyre në shkolla sipas Edipit është një gjë shumë e mirë, mirëpo duhet të ofrohet edhe mbështetja tjetër e nevojshme e jo vetëm prezenca fizike, duke bërë kështu edukimin të çalojë në këtë aspekt.
Edipi thekson se pos pjesës fizike, tek fëmijët me sindromën Down ka çrregullime edhe në aspektin e shëndetit mendor, ku ndikohen fusha e komunikimit, që ngërthen të shprehurit dhe të kuptuarit, që sjell nevojën e një logopedi brenda apo jashtë shkollës për t’i ndihmuar ata, pasi mund të kuptojnë, mirëpo të kenë vështirësi në shprehje. Fushë tjetër ku nevojitet mbështetje është socializimi, pasi duhet të stimulohen shkathtësitë sociale.
Në anën tjetër është fusha e shkathtësive ditore. Sipas psikologut, kjo nënkupton pavarësimin e fëmijës me sindromin down në gjërat bazike, si veshja, ushqimi, dalja, shkuarja n] shkollë e të tjera, gjëra që duhet arritur nga prindërit, në bashkëpunim me shkollën dhe psikologun, duke ndihmuar kësisoj që fëmija të ketë më shumë sukses në jetë.
Për t’u arritur një gjë e tillë, Edipi thekson se fëmijët kanë nevojë për një asistent mbështetës, që deri para pak kohësh tek ne ka qenë shumë e vështirë për prindërit të arrihej, pasi duhet të paguhej me financa vetanake. Nevoja për një asistent të tillë sipas psikologut vjen nga fakti se secili fëmijë është unik dhe mëson në forma të ndryshme, andaj roli i asistentit është ta mësojë fëmijën në formën që atij i përshtatet. Tutje sipas Edipit, edhe prindërit kanë nevojë për mbështetje psikosociale, andaj shton se shteti duhet të financojë sa më shumë në këtë aspekt.
Edipi nënvizon se ka progres, mirëpo ende nuk është situatë e kënaqshme, duke nënvizuar se ka mbi 5 mijë fëmijë me nevoja të veçanta në vendin tonë. Statistikat në ofrimin e mbështetjes për këta fëmijë sipas tij janë më të mira se kanë qenë, mirëpo janë ende të dobëta krahasuar me sa duhet të jenë.