35 persona janë lënduar pas përmbysjes së një anijeje në një kantier detar të Edinburgut.
Shërbimi Skocez i Ambulancës ka theksuar se 23 persona ishin dërguar në spital dhe 12 persona u trajtuan në vendin e incidentit në “Imperial Dock”, Leith.
Incident i madh u deklarua pasi anija kërkimore Petrel u zhvendos nga kantieri ku ishte parkuar.
Fotot e postuara në rrjetet sociale tregojnë anijen 3,000 tonëshe, e cila është në pronësi të Marinës amerikane, e mbështetur në një kënd 45 shkallë.
Konsullata e SHBA-së në Edinburg tha se po monitoronte situatën dhe po ofronte mbështetje për qytetarët amerikanë që ishin të përfshirë.
“Falënderojmë shërbimet e urgjencës për reagimin e tyre të menjëhershëm. Mendimet tona janë me të gjithë ata që janë prekur nga ky incident,” thuhet nga konsullata.
Shërbimi i Ambulancës Skoceze ka theksuar se ishte thirrur për incidentin në orën 08:30.
Një zëdhënës ka theksuar se 15 pacientë u dërguan në spitalin mbretëror të Edinburgut, katër në Spitalin e Përgjithshëm Perëndimor dhe dy në Spitalin Victoria në Kirkcaldy.
12 persona të tjerë janë trajtuar dhe janë liruar në vendngjarje.
Doku i Leith, në verilindje të Edinburgut, ka histori detare që shkon prapa shumë shekuj dhe tani është shtëpia e jahtit mbretëror të çmontuar Britannia.