Pas aksidentit tragjik në fshatin Gllobar të komunës së Drenasit, në të cilin dy persona kanë humbur jetën, kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, teksa është shprehur i prekur nga rasti, ka ngushëlluar famijet për humbjen e tyre.
Ai, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë të ditur se dy viktimat, një grua dhe një fëmijë shtatëvjeçar janë nga komuna e Skenderajt.
“I prekur thellësisht në shpirt pas aksidentit të sotëm, ku humbëm dy qyterarë të komunës sonë, një nënë e dy fëmijëve dhe një 7-vjeçar. Në këto momente të rënda bashkëndjejmë dhimbjen me familjet, dhe lutemi për shërim të shpejtë të të lënduarve. Shpirti i tyre u prehtë në paqen e Zotit”, ka shkruar Nura.
Ndryshe, Policia e Kosovës e ka konfirmuar vdekjen e dy personave në fshatin Gllobar të komunës së Drenasit, si pasojë e një aksidenti trafiku.
Kështu ka bërë të ditur për RTV Dukagjini, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili ka theksuar se në aksident janë përfshirë dy automjete, ku kanë mbetur të lënduar edhe tre persona të tjerë.
“Rreth orës 14:00, është pranuar informata për një aksident trafiku të ndodhur në fshatin Gllobar, të komunës së Drenasit. Nga informatat e para, bëhet e ditur se dy vetura janë përfshirë në aksident, dhe si pasojë e aksidentit dy persona kanë humbur jetën përderisa tre të tjerë kanë pësuar lëndime”.
Sipas Borovcit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkaq të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Ai ka theksuar se njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve, që kanë sjellë deri te aksidenti.
Policia konfirmon vdekjen e dy personave në aksidentin në Gllobar të Drenasit