Pas më shumë se një viti, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dalë me vendim për të ndjerën Sebahate Morina, e cila ishte vrarë nga bashkëshorti i saj.
Në vendim thuhet se institucionet e Kosovës, respektivisht, Gjykata Themelore në Gjilan, Prokuroria Themelore në Gjilan, Stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar ta mbrojnë jetën e të ndjerës Sebahate Morina.
Në lidhje me këtë, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se e ndjera Sebahate Morina ishte vrarë me 14 mars si dështim i stacionit policor në Graqanicë, Prokurorisë në Prishtinë, te cilat ishin vërtetuar edhe nga IKD.
Musliu ka fajësuar presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla se po heshtin përballë këtij rasti, teksa ka thënë se “heshtja e tyre flet se sa e kanë prioritet mbrojtjen e gruas nga dhuna në familje”.
“IKD pas kërkesës së fëmijëve të saj e kishte dërguar në Kushtetuese. Qendra juridike dhe IKD kërkojnë llogaridhënie nga institucionet. Për ne është shume e çuditshme dhe e pafalshme heshtja e Osmanit, Kurtit, Haxhiut e Sveçlës. Heshtja e tyre flet se sa e kane prioritet mbrojtjen e gruas nga dhuna në familje”, ka thënë Musliu.
Po ashtu, edhe Arrita Rezniqi nga IKD-ja ka thënë se ngjarja e ndodhur në vitin 2021, në mars ka qenë një ngjarje, ku nuk ka pasur reflektim nga ana e institucioneve.
Rezniqi ka thënë se ka pasur vetëm komunikata shabllon nga institucionet përgjegjëse për këtë rast.
“3 ditë pasi kemi bërë publikimin e raportit në lidhje me gjetjet dhe dështimet, fatkeqësisht nuk ka pasur reflektim nga ana e Prokurorisë e Policisë, ka pasur vetëm komunikata shabllon për të mbuluar dështimet. Ne kemi qenë në kontakt me familjen dhe kemi dërguar kërkesë në Kushtetuese”, ka thënë Rezniqi.
“Një vendim i tillë që është marrë dje, ne e kemi pritur që një kohë të gjatë, përkundër ndjeshmërisë dhe dhembshurisë, përbën një rast shumë të rëndësishëm dhe shënon një fitore të madhe kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”, ka vijuar ajo.
E emocionuar mes lotësh, Rezniqi ka falënderuar familjarët që kanë kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat e dhunës në familje.
Po ashtu, edhe Gëzim Shala nga ky institut ka thënë se mënyra se si është vepruar në këtë rast ka shfaqur një sistem prokurorial që mbrojnë prokurorët e jo viktimat e dhunës në familje.
“Ne kemi kërkuar dorëheqjen e Munishit dhe të hetohet ky rast, përkundër të gjitha gjetjeve qe janë konfirmuar edhe nga Avokati i Popullit e edhe dje nga Kushtetuesja përgjigjet e prokurorisë kanë qenë se janë të pavërteta”, ka thënë Shala.
Ai ka kërkuar që pas aktgjykimit të Kushtetueses për këtë rast të japin dorëheqje ata që nuk kanë integritet për të udhëhequr në institucionet përgjegjëse për raste të tilla.
“Pas aktgjykimit të Kushtetueses, që thotë se Policia e Kosovës e Prokuroria ia kanë shkelur të drejtën për jetë, pas kësaj Prokuroria Themelore në Prishtinë e udhëhequr me këtë kryeprokuror nuk ka më integritet per të udhëhequr dhe më e pakta është dorëheqja e tyre”, ka vijuar ai.
Ndryshe, të mërkurën e 22 marsit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dalë me vendim për të ndjerën Sebahate Morina, e cila ishte vrarë nga bashkëshorti i saj.
Në vendim thuhet se institucionet e Kosovës, respektivisht, Gjykata Themelore në Gjilan, Prokuroria Themelore në Gjilan, Stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar ta mbrojnë jetën e të ndjerës Sebahate Morina.
“Kjo e fundit, bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës para Gjykatës kontestoi “veprimet dhe mosveprimet” e autoriteteve shtetërore, përkatësisht, Gjykatës Themelore në Gjilan, Prokurorisë Themelore në Gjilan, Stacionit Policor në Graçanicë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dhe të cilat, sipas saj, rezultuan në cenimin e të drejtës për jetë të nënës së saj, përkatësisht të ndjerës S.M., në kundërshtim me: (I) të drejtën për jetë të garantuar me nenin 25 [E drejta për Jetën] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 2 (E drejta për jetën) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (II) detyrimet e autoriteteve shtetërore të përcaktuara me nenet 18 (Detyrimet e Përgjithshme), 50 (Reagim, parandalim dhe mbrojtje të menjëhershme) dhe 51 (Vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimi i rrezikut) të Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, përkatësisht Konventës së Stambollit”, thuhet në vendim.
Njëzëri, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që kërkesa e familjarëve të së ndjerës, Sebahate Morinës, është e pranueshme.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese: Shteti dështoi ta mbrojë jetën e Sebahate Morinës