Asnjëherë më parë nuk ka qenë më afër liberalizimi i vizave për Kosovën. Këtë të enjte, Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) votoi tekstin që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave.
Tashmë ka mbetur vetëm edhe një votim në seancën e Parlamentit Evropian, i cili do të mbahet më 18 prill të këtij viti.
Pas këtij lajmi, ka reaguar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se pritjes së gjatë të qytetarëve të Kosovës, po i vjen fundi.
Sipas tij, nga një janari i vitit 2024, qytetarët e Kosovës, do të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.
“Në përfundim të këtyre procedurave të fundit, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza, jo më larg se 1 janari i vitit 2024, duke i dhënë kështu fund një pritjeje të gjatë”, ka shkruar ai.