Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PDD) nga Bujanoci, Shaip Kamberi, njëkohësisht, pretendent për deputet në Kuvendin e Serbisë, ka thënë se, pavarësisht, ankesës së Partisë Socialiste të Serbisë për kontestimin e rezultatit të zgjedhjeve në Tërrnoc, partia që udhëhiqet nga ai do të vazhdojë procesin deri në fund.
Për Kamberin, i cili është ftuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, loja ende nuk ka mbaruar.
“Loja është ngritur në një fazë krejtësisht tjetër, ne jemi në një betejë për një mandat për arsye se, pavarësisht, zgjedhjeve të mbajtura në Tërrnoc dhe, pavarësisht, se arritëm të sigurojmë një mandat, dje SPS ka dorëzuar ankesë në komisionin komunal zgjedhor ku konteston rezultatin e zgjedhjeve me tendencë që të anulojë zgjedhjet në këtë vendvotim, që do të na sjellë në një fazë të re politike, akoma nuk ka mbaruar loja”, është shprehur ai.
Sipas tij, vendimi përfundimtar i takon Gjykatës administrative, teksa shtoi se janë në një proces që mund të zgjasë, dhe, eventualisht, me një vendim politik të anulohen zgjedhjet në këtë vendvotim.
Megjithatë, ai ka theksuar se pa mbaruar zgjedhjet në këtë vendvotim, nuk do të mund të formohet qeveria e re e as të konstituohet parlamenti serb.
“Nga Tërrnoci varet komplet, sepse është vendvotimi i vetëm ku nuk ka përfunduar procesi zgjedhor dhe pa përfunduar ato nuk mund të formohet qeveria”, shtoi ai.
Po ashtu, Kamberi ka potencuar se gjatë ditës së zgjedhjeve në Tërrnoc, nuk është raportuar për ndonjë parregullsi deri në momentin kur është parë që partia e tij është duke dalë fituese.
“Gjatë gjithë ditës sa ka zgjatur procesi zgjedhor nuk është bërë asnjë vërejtje e vetme, nuk është ndëprerë procesi i votimit, por në momentin kur është parë që është arritur rezultati, atëherë ora 23:00, komisionerët e SPS kanë bërë vërjetje, që ankesa e tyre pritet të shqyrtohet deri të mërkurën”.
Sipas tij, ata kanë bërë vetëm hamendësime.
“Pikat e tyre të ankesës janë se gjoja në Tërrnoc ka votuar një person për disa të tjerë, se kanë votuar njerëz pa letërnjoftim që do të duhej të konstatohej, sipas ligjit, në momentin kur është vërtetuar një rast i tillë, se në regjistër ka njerëz të vdekur e që është problem sepse kontrollohet nga ministria e pushtetit lokal dhe jo nga partitë politike, por për asnjërën nga pretendimet e tyre nuk ka as edhe një dëshmi të vetme”, është shprehur Kamberi.