Të paktën pesë persona u vranë nga një sulm rus në qytetin e Kostiantinivka, në rajonin lindor të Donjeckut, më 24 mars, njoftoi shërbimi i urgjencës së Ukrainës.
Raketa e lëshuar nga një sistem kundërajror S-300 goditi një qendër strehimi humanitare në këtë qytet, dhe në mesin e të vrarëve ishin tri gra që po strehoheshin aty.
Kjo qendër ishte ngritur për të ofruar një vend me shërbime bazë, si energji elektrike, ujë dhe ngrohje për të zhvendosurit nga luftimet në rajon.
Civilët që vdiqën ishin refugjatë, sipas guvernatorit të Donetsk Pavlo Kyrylenko, raporton AP.
Përgjatë natës, Rusia nisi një valë të re sulmesh me dronë në qytetin Krivi Rih, në rajonin e Dnipropetrovsk të Ukrainës, ka thënë guvernatori i këtij rajoni më 24 mars, teksa alarmet për sulme ajrore u lëshuan përgjatë gjithë vendit.
Në të njëjtën kohë, luftime të ashpra mes forcave ruse dhe ukrainase u zhvilluan përreth qytetit lindor të Bakmutit.
Guvernatori Serhiy Lysak raportoi në Telegram se Krivi Rih ishte shënjestruar nga pesë dronë të prodhuar në Iran gjatë natës, por nuk raportoi për asnjë të lënduar. Ai përmendi gjithashtu se një dron iranian Shahed u rrëzua, së bashku me disa raketa ruse.
Ndërkaq, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës bëri të ditur se forcat ruse vazhduan sulmin e tyre në Bakmut dhe rajonet e tij fqinje, duke nisur gjithsej 79 ofensiva gjatë 24 orëve të fundit.
Shumica e sulmeve të Rusisë kishin në shënjestër Bakmutin, qytetin në rajonin e Donjeckut, i cili ka qenë epiqendra e përpjekjeve të Moskës për muaj të tërë.