Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka reaguar lidhur me rrëzimin e ligjit për KPK-në nga Gjykata Kushtetuese.
Halimi ka thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë respektuar dhe “pranuar pa mëdyshje”, nga i gjithë spektri politik në Kosovë.
“Si Ministre drejtësie, komentimi i verdikteve të gyqësorit, për më tepër të gjyqësisë kushtetuese është jo vetëm ndërhyrje në drejtësi – në një pushtet të ndarë – por edhe krim, ngase paraqet mësymje antishtet!”, ka shkruar Halimi.
Halimi ka thënë se nuk mund të synohet “çkapja” e institucioneve siç pretendon partia në pushtet dhe të mos respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas zëdhënëses së LDK-së, ministrja e Drejtësisë duhet të japë dorëheqje, “për faktin se po i rrëzohen Ligjet nga kushtetuesja, një nga një, pikërisht për tendenca të hapura të kontrollit politik përmes kapjës së institucioneve të drejtësisë, ajo vazhdon me akuza e arsyetime inatçore, deri në shkallë urrejtjeje”.
Ajo ka theksuar se ky pushtet ka filluar të transformohet në “popullizëm të një niveli të frikshëm, që ka primesa të një paradiktature”.