Bashkë me drejtorin e ri të Përgjithshëm Gazmend Hoxha, Policia e Kosovës do të bëhet edhe me strukturë të re organizative.
Ajo u nënshkrua një ditë më parë nga Hoxha dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Por, më shumë informacione rreth ndryshime që pritet të ndodhin nuk ka dhënë MPB-ja, e cila nuk i ka kthyer përgjigje Dukagjinit.
Gjithsesi, sipas ish – kryeshefit të inspektoratit policor, Valdet Hoxha struktura e re nuk mund t’i ikë strukturës bazë të Policisë.
“Struktura e Policisë së Kosovës tashmë është e etabluar dhe normalisht nuk mund të I ik atij standardi që e ka pas deri tash, e kam parasysh për pesë departamente organizative por që gjithmonë misioni i Policisë së Kosovës duhet të jetë në mbrojte të jetës e pronës së qytetarit të së Kosovës”, ka theksuar Valdet Hoxha – Ish-kryeshef i IPK-së.
Sipas tij, ndryshimi i strukturës është normal me çdo ndërrim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë.
“Duke pasur parasysh rolin edhe misionin e Policisë së Kosovës një strukturë e re organizative dhe eventualisht ndryshimi I saj lindin si nevoje e organizimit operacional dhe po besoj që është një proces standard sidomos me rastin e ndërrimit të udhëheqësit të Policisë së Kosovës”, ka përfunduar Valdet Hoxha – Ish-kryeshef i IPK-së.
Gazmend Hoxha është zgjedhur drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës më 8 mars të këtij viti.