I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar masakrën e Krushës së Madhe, ku 24 vjet më parë forcat vranë dhe masakruan 243 civilë të këtij fshati.
Krasniqi tha se mungesa e drejtësisë për viktimat e kësaj masakre, është plagë që dhemb për gjithë Kosovë.
“25, 26 e 27 marsi 1999 ishin ditët më të trishta për banorët e Krushës së Madhe. 24 vite më parë forcat serbe vranë e masakruan 243 civilë të pafajshëm të këtij fshati. Mungesa e vënies së drejtësisë për viktimat e kësaj masakre, është plaga që dhemb aq shumë, jo vetëm për familjarët e tyre, por për tërë Kosovën”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Por, sipas Krasniqit, gratë e Krushës përkundër që humbën më të dashurit e tyre, ato gjetën forcë të ngritën, duke u bërë shembull i mosdorëzimit.
“Megjithatë, gratë e Krushës së Madhe, përkundër që humbën më të dashurit e tyre, gjetën forcën të ringrihen me punë e dashuri për vendin, duke u bërë shembull i mosdorëzimit. Lavdi për të rënët e Krushës së Madhe!”.