Gjatë ditës së diel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në njoftimin e Presidencës, thuhet se Begaj ia ka shprehur Kurtit mbështetjen për marrëveshjen e Ohrit, më 18 mars, duke vlerësuar së dakordimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij, është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
“Presidenti Begaj shprehu gjithashtu besimin se zotimi i marrë nga palët në Ohër do të respektohet plotësisht, ndërkohë do të gjenden mekanizmat e duhur për ta kthyer këtë dakordësim publik në një marrëveshje të detyrueshme e të zbatueshme për palët ndërkombëtarisht”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, Kurti e ka informuar presidentin shqiptar në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurti, gjatë kësaj dite, është takuar edhe me kryeparlamentaren shqiptare, Lindita Nikolla, dhe pritet të takohet me kryeministrin Edi Rama.