“Reputacioni ndërkombëtar dhe besueshmëria e palëve është gjithashtu në rrezik këtu – në mënyrë që të shihen si një partner i besueshëm i BE-së, palët duhet ta zbatojnë atë që kanë premtuar”.
Kështu ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për RTV Dukagjinin, rreth marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se në ditët në vijim institucionet e BE-së do të iniciojnë oporacionalizmin e hapave të parë të fazës së parë të zbatimit me Kosovën dhe Serbinë.
“Në ditët në vijim, tani me miratimin nga Këshilli Evropian (Drejtuesit e të 27 shteteve anëtare) institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me palët. Siç tha përfaqësuesi i Lartë të enjten: ‘Unë do t’i këshilloja ata të bëjnë punën e tyre’”, ka shtuar ai.
Stano duke parafrazuar përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, tha se vetë historia e dialogut ka dëshmuar se rëndësia e marrëveshjes matet nga niveli i zbatimit, e jo nga nënshkrimi.
“Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell informoi liderët evropianë për bisedimet e Ohrit dhe theksoi se Kosova dhe Serbia tani duhet të përmbushin atë që kanë rënë dakord. Ai gjithashtu kujtoi se çdo spekulim për nënshkrimin apo vlefshmërinë e Marrëveshjes është i kotë. Historia e dialogut ka dëshmuar se rëndësia e marrëveshjes matet nga niveli i zbatimit të saj, jo nënshkrimi. Ai ishte shumë i qartë se marrëveshja është rënë dakord, duhet zbatuar dhe nuk ka vend për zgjedhje”, ka thënë Stano.
Ai më tutje shtoi se palët nëse dëshrojnë të bëjnë përparim drejt BE-së, duhet t’i zbatojnë dispozitat e marrëveshjes.
“Dispozitat e Marrëveshjes (përfshirë Aneksin) tani do të inkorporohen në Kapitullin 35 për Serbinë dhe në agjendën e Grupit Special për Normalizimin për Kosovën. Kjo do të thotë se palët do të jenë të detyruara kontraktualisht të zbatojnë dispozitat nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së. Moszbatimi do të thotë të braktisësh rrugën drejt BE-së”, ka shtuar ai.