Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, gjatë një vizite në Serbi, ka thënë se qëndrimi i shtetit që ajo përfaqëson sa i përket mosnjohjes së Kosovës, ende mbetet i njëjtë.
Por, sipas saj, Greqia e ndjek një qasje konstruktive për Kosovën.
“Qëndrimi i Greqisë, një nga të paktët anëtar të BE-së që nuk e njohu pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës, mbetet i njëjtë. Në të njëjtën kohë, Greqia, përveç qëndrimit të saj të njohur për statusin e Kosovës dhe besnike ndaj politikës së saj në Ballkanin Perëndimor, ndjek një qasje pragmatike dhe konstruktive në raport me Kosovën, e cila synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë, si dhe një lëvizje e përgjithshme drejt integrimit në BE të të gjithë rajonit, që dhe është synimi ynë strategjik”, ka thënë ajo për mediumin serb politika.
Tutje, ajo ka thënë se e mirëpret marrëveshjen e arritur më 18 mars në Ohër, në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ajo ka thënë se e mbështet Kosovën dhe Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, në mënyrë që të ketë siguri dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.