Polica e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmë rreth orës 18:08, është gjetur një person i vdekur në afërsi të shtëpisë së tij, në fshatin Dumnicë të Epërme të Podujevës.
Në raportin 24 orësh, policia e ka cilësuar rastin si vrasje, teksa është bërë e ditur nga Policia se ende nuk ka të arrestuar dhe se rasti është në hetime.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka bërë të ditur për Dukagjinin se rasti është cilësuar “vrasje” me urdhër të prokurorit, dhe se në bashkëpunim me policinë po punohet në ndriçim të rrethanave.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është kualifikuar ‘Vrasje’, sipas KPRK-së. Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në mënyrë intensive, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij akti dhe identifikimit të personave të përfshirë në këtë rast”, ka thënë ajo.
Po ashtu, në përgjigje thuhet se mosha e viktimës është 58 vjeç, “derisa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për t’iu nënshtruar obduksionit”.