Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka shprehur gatishmërinë e tij për të pritur në vendin e tij si nikoqir kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në raundin e ri të bisedimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet tona fqinje dhe jemi të etur për të ndihmuar në çdo mënyrë që mundemi, duke përfshirë mbështetjen logjistike. Personalisht, do të doja të zgjeroja ofertën time, nëse ka ndonjë raund të ri bisedimesh në mes të Kosovës dhe Serbisë, për t’i pritur në Mal të Zi”, ka thënë Abazoviq për The Pavlovic Today.
Ndërsa për planin evropian, Abazoviq ka thënë se është fitimprurës edhe për Kosovën edhe për Serbinë.
“Ne nuk jemi pjesë e dialogut, por personalisht besoj se propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë që është fitimprurëse edhe për Serbinë edhe për Kosovën”, ka thënë ai.
“Kjo është rruga që rajoni duhet të ndjekë. Rruga e normalizimit është ajo e duhura për rajonin si hap i parë dhe në fund, pasi të plotësohen të gjitha kriteret, anëtarësimi në Bashkimin Evropian si synimi final për të gjithë rajonin”, ka vijuar ai.
Sipas tij, marrëveshja e dakorduar në mes të palëve në Ohër duhet të zbatohet në terren dhe t’i përmbahen asaj për çfarë kanë rënë dakord.
“Por në mënyrë që kjo të ndodhë, ata duhet të jenë në të njëjtën faqe dhe t’i përmbahen asaj për të cilën kanë rënë dakord. Unë nuk jam ithtar i një ideje ku palët nënshkruajnë diçka pa e ndjekur zbatimin. Kjo nuk ka funksionuar shumë mirë në të kaluarën. Pjesa më e rëndësishme është të sigurohen që ajo për të cilën ata bien dakord të zbatohet në praktikë”.
Ai ka theksuar nevojën që Serbia dhe Kosova t’i respektojnë dispozitat specifike të aneksit të zbatimit, duke përfshirë ato të Serbisë “që nuk bllokon pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe Kosova të “zbatojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”.