Dhuna në shkolla është një problem serioz që mund të ketë efekte tejet negative mbi nxënësit, mësuesit dhe komunitetin. Ka shumë forma të dhunës që mund të ndodhin në shkolla, duke përfshirë dhunën fizike si përleshjet, ngacmimet dhe incidentet e lidhura me armët, abuzimin verbal, ngacmimin seksual dhe ngacmimin kibernetik.
Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në vitin 2022 janë raportuar 13 ngacmime seksuale në shkollat e Kosovës, kurse në periudhën janar – shkurt të vitit 2023, janë raportuar gjashtë ngacmime seksuale.
Lëndime të rënda trupore gjatë vitit 2022 dhe periudhës janar – shkurt 2023, kanë qenë 15.
Ndërsa, 14 raste kanë qenë të raportuara në vitin 2022, kurse një në 2023.
Lëndime të lehta trupore gjithsej për dy vitet janë raportuar 180, posedim i armës së zjarrit në 2022, 14 raste, kurse për 2023 nuk është evidentuar asnjë rast sipas policisë së Kosovës.
Posedim i armës së ftohtë në vitin 2022 janë raportuar 69, kurse katër në vitin 2023.
Ndërkaq, 59 raste janë cilësuar si sulme në vitin 2022, kurse në 2023 nëntë.
Në përgjigjen e saj, Policia e Kosovës thotë se në planet e saj për parandalimin e dhunës në shkolla parashihet identifikimi dhe arrestimi i personave të dyshuar dhe po ashtu marrja e masave ndaj personave që nuk janë nxënës, por që sillen afër shkollave dhe hapësirave të tyre.
“Po ashtu planet parashohin parandalimin, identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar, si dhe marrjen e masave ndaj personave që nuk janë nxënës e që sillen afër shkollave dhe në hapësirat e shkollave. Po ashtu, edhe nga Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventive, në vazhdimësi realizohen projekte të ndryshme sensibilizuese dhe parandaluese në shkolla”, thuhet në njoftim.
Portali Dukagjini ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Arsimit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me masat që i kanë marrë për ta parandaluar dhunën në shkolla.
Ndërkaq, drejtuesi i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, thotë se reagimi ndaj rasteve të dhunës duhet të jetë individual dhe se për këtë nevojitet përkrahje institucionale.
“Mosreagimi në parandalim të dhunës në shkolla mund shumë lehtë të përshkallëzohet deri në fatalitet. Dhuna në shkolla ka trajta të ndryshme, dhe reagimi duhet të jetë shumë individual për secilin rast – për këtë nevojitet një komunitet i përkushtuari shkollës që ka përkrahje institucionale. Ka disa faktorë që bëjnë një shkollë më të sigurt, dhe ka plot shkolla në vend që kanë dëshmuar që kjo është e arritshme. Mirëpo duhet të kuptojnë që problemi nuk është i kufizuar dhe as nuk zgjidhet nga një hisedar vetëm, duhet një përfshirje konsistente dhe e strukturuar ndërinstitucionale në të gjitha nivelet do të rriste sigurinë”, ka thënë ai për Portalin Dukagjini.
Dhuna fizike, sipas Qehajës, shpeshherë buron nga problemet sociale e psikologjike dhe se duhet idenfifikimi apo përkrahja e personave që mund të shfaqin apo që kanë tendenca të dhunës.
Ky evidentim, sipas tij, bëhet nga psikologët dhe se është e rëndësishme që çdo shkollë ta ketë psikologun në mënyrë që të bëhet identifikimi i parakohshëm i personave me tendencë të shfaqjes së dhunës.
“Rikujtoj që dhuna fizike në shkollë shumë herë ka burim probleme socio-psikologjike të individëve, andaj edhe çështja duhet të trajtohet me identifikim dhe përkrahje të personave me tendenca të shfaqjes së dhunës – këtu vije në pah rëndësia e prezencës se psikologut në shkollë dhe fuqizimit të rolit të tij”, ka thënë ai.
Sa i përket rritjes së rasteve të dhunës nëpër shkolla, sociologu Jeton Brajshori në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka thënë se kjo ndodh për shkak të rrjeteve sociale.
“Problemet të cilat shkaktohen në rrjete sociale, qoftë për ndonjë ‘like’ apo ‘koment’ po bartën të nesërmen në shkolla dhe shpesh po përfundojnë edhe me lëndime të rënda trupore”, është shprehur ai.
Brajshori ka thënë se dhuna në shkolla, qoftë ajo fizike apo verbale, ka pasoja afatgjate në personalitetin e nxënësit.
“Kjo dhunë krijon frikë, pasiguri dhe ankth te nxënësit, i cili fillon ta humbë vetëbesimin të bëhet tip asocial dhe shndërrohet në tip introvert, më vonë do të këtë problem me kontrollimin e emocioneve dhe bëhet person jostabil”, ka thënë ai.
Ndërkaq, sipas tij, MASHT-i duhet të kujdeset që në secilën shkollë të ketë psikolog, i cili punon me orar të plotë, po ashtu të ketë sa ma shumë trajnime me mësimdhënës, sa i përket këtij fenomeni negativ.
“Secila shkollë duhet ta ketë rregulloren e shkollës, e cila hartohet nga drejtoria, prindërit dhe mësimdhënësit. Bashkëpunimi në mes të këtij trekëndëshi është esencial për parandalimin e dhunës në shkolla! Të organizohen kampanja senzibilizuese në shkollë ku pjesëmarrës do të jenë nxënësit së bashku me prindër, psikologu të mbajë ligjërata javore me tema të ndryshme nga sjelljet devijante, shkolla të organizojë sa më shumë aktivitete sportive”, ka thënë Brajshori.
Bullizmi përcillet që në fëmijëri brenda familjes
Bullizmi në shkolla është dukuria mjaft e përhapur, jo vetëm te ne, po në të gjithë botën.
Sociologu Brajshori ka thënë se bullizmi vjen nga persona të cilët qysh në fëmijërinë e tyre ose kanë qenë të bullizuar brenda në familje ose kanë parë vazhdimisht dhunë në familje dhe këtë e shpërfaqin ndaj të tjerëve duke treguar superioritet ndaj tjetrit.
“Efekti i bullizmit është aq i madh saqë duhet kohë e gjatë për ta tejkaluar. Një gjë tjetër tejet shqetësuese është edhe bullizimi që bëhet nga mësimdhënësit, i cili ka efektin edhe më negativ, sepse nxënësi mësimdhënësin e sheh si prind të dytë dhe kur bullizohen nga ta atëherë thyhen dyfish”, është shprehur ai.
Problemet socio-ekonomike shkaku kryesor i dhunës
Të hyrat e pakta në familje, sipas Brajshorit, krijojnë probleme të brendshme që manifestojnë dhunë, dhe fëmijët e prekur nga kjo dhunë fillojnë të bëhen edhe vetë të dhunshëm, sepse fëmijët janë të prirur t’i imitojnë gjërat që ndodhin në shtëpi.
“Problemet socio-ekonomike janë ndër shkaktarët kryesore te dhuna në familje dhe divorci. Prindërit duhet të kenë kujdes se si sillen para fëmijëve sepse pasojat janë afatgjate”, ka thënë ai.
Si i dëmton pornografia fëmijët?
Qasja e lehtë në pornografinë online dhe dëmi i mundshëm i ekspozimit të vazhdueshëm ngre shqetësime për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve
Sociologu Brajshori ka treguar se qasja e lehtë në materiale pornografike bën që nxënësit të kenë sjellje të papërshtatshme, jo vetën në korridore të shkollës, por edhe brenda orës, duke lëshuar materiale delikate në telefon.
“Për këtë arsyeje nuk duhet lënë telefonat në shkollë”, ka thënë ai.
Sipas tij, në shkolla trajtohet sipërfaqësisht apo fare hiq tema e edukimit seksual.
Mirëpo, ai ka thënë që të ketë lëndë të edukimit seksual, njëherë duhet të punohet me mësimdhënës. Të ketë profesionist të fushës të cilët punojnë me profesionalizëm, sepse “nuk duhet ngutur pa i bërë përgatitjet e duhura, më shumë mund të bëhet dëm sesa dobi”.