Policia e Kosovës ka dhënë detaje pas raportimit se të dielën e një majit, dy persona kanë mbetur të plagosur nga një armë zjarri në Mramor të Prishtinës.
Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se dy persona kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të një zyrtari policor, ndërsa ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke i lënë të plagosur dy të dyshuarit.
Në raport thuhet se në vendin e ngjarjes janë gjetur 15 gëzhoja, ndërsa në fshatin Mramor është gjetur motoçikleta e të dyshuarve dhe arma e tipit Zoraki pa fishekë.
“Është raportuar se dy të dyshuar meshkuj kosovarë kanë shtënë me armë në drejtim të viktimës mashkull (zyrtar policor). Po ashtu, me të shtëna armësh i është kundërpërgjigjur edhe zyrtari policor, ku si pasojë dy të dyshuarit janë plagosur dhe janë dërguar për tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Sipas policisë, rasti po vazhdon të hetohet.
“Në vendin e ngjarjes janë gjetur 15 gëzhoja, ndërsa në fshatin Mramor është gjetur motoçikleta e të dyshuarve dhe arma e tipit Zoraki pa fishekë”, vijon njoftimi.
Ndërkaq, ndonëse gjendja e tyre raportohej të ishte stabile, megjithatë njërit nga të plagosurit i është dashur t’i nënshtrohet një operacioni.
Këtë për RTV Dukagjini, e ka bërë të ditur mjeku kujdestar, Sami Bajqinca.
“Njërin nga të plagosurit tashmë e kanë dërguar në sallë, për t’iu nënshtruar një operacioni. Gjendja e të dy të lënduarve është stabile”, ka thënë ai.
Ndërkohë, sipas statistikave të policisë, në Kosovë brenda 24 orëve të fundit janë arrestuar 13 persona, derisa 11 janë dërguar në mbajtje.