Ka filluar paraqitja e provave dhe dëshmive në rastin e Pjeter Shalës në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Dëshmitari i parë ka filluar të japë dëshminë e tij kundër Shalës dhe ende është duke dëshmuar, me seanca që më shumë janë private se sa publike.
Kur Prokurori i ZPKS-së përfundoi marrjen në pyetje dëshmitarin, kryetarja e trupit gjykues, ia bëri disa pyetje.
Ajo e ka pyetur dëshmitarin, se a e ka parë vetë Pjetër Shalën, (dëshmitari më herët ka deklaruar se e ka marrë vesh më vonë, nga disa fqinjë se Pjetër Shala ishte aty) në ditën kur në shtëpi i kanë shkuar dy persona të UÇK-së nga Jabllanica dhe disa persona me rroba civile.
Dëshmitari pohoi se e ka parë, kështu kryetarja pasoi me pyetjen tjetër.
“E pas kaq shumë vitesh, jeni në gjendje ta përshkruani si ishte?”, pyeti gjykatësja.
“Ai me minahedhës ka qenë, personi i parë afër shtëpisë”, u përgjigj dëshmitari.
Pra, dëshmitari duke mos e përshkruar se si dukej ai person, kryetarja e trupit gjykues i kërkoi që ta përshkruaj se si ishte si person.
“E kam parë vetëm pak se isha pas gardhi, e dorën mbi gardh e kishte kurse arma ishte e gatshme për qitje”, tha dëshmitari, prapë duke e mos përshkruar se si dukej Pjetër Shala.