Takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, nuk do të prodhojë asnjë rezultat.
Kështu ka thënë kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike nga Beogradi, Dushan Janjiq, i cili beson se takimi i së mërkurës nuk mund të kontribuojë për asgjë.
“E kuptoj se njerëzit mund të jenë të uritur për tregime, që në njëfarë mënyrë gjithçka ta vendosin në kontekstin e konfliktit në Ukrainë dhe kthesën e Serbisë nga Rusia për në BE, por këta harrojnë se Serbia ka ndjekur këtë shteg që nga viti 2001, dhe kjo rrugë s’e ka çuar kurrë askund”, ka thënë Janjiq, raporton e përditshmja serbe “Danas”.
Sipas tij, nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimet as të Albin Kurtit dhe as të Aleksandër Vuçiq që mund të shërbente si indikator për arritjen e ndonjë marrëveshjeje.
Katër maji pritet të jetë një datë e takimeve të rëndësishme.
Nikoqir do të jetë kancelari gjerman, Olaf Scholz, ndërsa ngjarja do të zhvillohet në Berlin.
Në kryeqendrën gjermane, do të shkojnë kryeministri i Kosovës, Albin Kurtin e Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.
Scholz të dy i ka ftuar në vizita të veçanta.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigjie për RTV Dukagjinin ka thënë se Kurti, do të jetë i pari që takon kancelarin gjerman Scholz, ku do të flasin për raportet në mes Kosovës dhe Gjermanisë, situatën në Ukrainë dhe çështjet rajonale.
Të njëjtat tema do t’i bashkëbisedojë edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Sipas Stanos, ky takim synon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.