Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se SHBA-të i qëndrojnë pas marrëveshjes së Ohrit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, teksa shton se duan të shohin zbatimin e plotë të saj.
Kështu ka thënë ai në një konferencë për media gjatë vizitës në Bujanoc.
“Është shumë e rëndësishme që qytetarët duhet të dinë se çfarë po ndodh me marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. SHBA-të janë shumë të interesuara për suksesin e kësaj marrëveshjeje, ne qëndrojmë pas saj dhe duam ta shohim zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje.
Sipas tij, qëllimi i dialogut është zgjidhja e problemeve midis dy vendeve fqinje.
“Duhet të jem shumë i qartë kur them se dialogu në Bruksel ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i dialogut nuk është që të zgjidhet ndonjë çështje tjetër, çështje të pakicave këtu apo në pjesë të tjera të vendit”, ka thënë Hill në Bujanoc.
“Marrëveshja e arritur nuk ka ndërmend të kalojë kufijtë në asnjë mënyrë”, theksoi ambasadori amerikan.
I pyetur nga gazetarët për letrën e kongresmenëve amerikanë të cilët pas takimit me politikanë shqiptarë nga Bujanoci dhe Presheva, i kërkuan Sekretarit të Shtetit Amerikan Anthony Blinken që të formojnë një komunitet të komunave shqiptare, Hill tha se respekton atë që thonë kongresmenët, por sipas tij një komunitet i tillë nuk është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit.