Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për shpalljen si të pavlefshëm të ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) nga Gjykata Kushtetuese ka thënë se është një goditje për reformën në drejtësi.
Në emisionin “FIVE” të RTV Dukagjini, Haxhiu ka thënë se problemi me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese është se në njërën anë konfirmon koorporatiizmin e Këshillit Prokurorial por në anën tjetër thotë se anëtarëve nuk mund t’u ndërpritet mandati.
“Prej korrikut të vitit 2022 ky projektligj është në Gjykatën Kushtetuese pra kaq muaj i është dashur kësaj gjykate që të analizojë këtë. Me këtë vendim përveç që i është dhënë goditjes reformës në drejtësi, i është goditje edhe qytetarëve pasi është mbrojtje e koorporatizmit”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja Haxhiu ka thënë se kur vjen puna për reformë në sistemin e drejtësisë të gjithë duhet të jenë të unifikuar.
“Në këtë projektligj ka pasur unifikim. Në këtë projektligj kanë kontribuar akterë të shumtë. Kur ata nuk janë dakord me një çështje e thonë publikisht. Ka pasë unifikim 100% të aktorëve të përfshirë”, ka vijuar Haxhiu.
Ndërsa për integritetin profesional të gjyqtarëve, Haxhiu beson se raportuesit e Komisionit të Venecias kanë profesionalizëm më shumë se sa gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
“Kur flasim për integritet profesional, janë përfolur aq shumë ndërhyrjet në Gjykatën Kushtetuese në këtë projektligj. Mund të them me siguri të plotë që raportuesit e Komisionit të Venecias kanë profesionalizëm më shumë se sa gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”.