Organizata e Kombeve të Bashkuara ka thënë të martën se një aktivist për edukimin e vajzave është arrestuar këtë javë në Kabul, si dhe u kanë bërë thirrje talibanëve që të sqarojnë arsyen e ndalimit të tij.
As zëdhënësit e Ministrisë së talibanëve për Informacion dhe as ata të agjencisë së Inteligjencës, nuk u janë përgjigjur kërkesave për të komentuar apo konfirmuar ndalimin.
“Matiullah Wesa, udhëheqës i (Pen Path) dhe mbrojtës i të drejtës së grave për edukim, është arrestuar të hënën në Kabul”, ka thënë misioni i OKB-së në Afganistan (UNAMA) përmes një deklarate, raporton Reuters.
“UNAMA u bën thirrje autoriteteve de facto që të japin detaje për vendndodhjen e tij, arsyet e arrestimit dhe t’i sigurojnë atij përfaqësim ligjor dhe kontakt me familjen”.
Arrestimi i tij vjen në kohën e ndalimit të një numri aktivistësh që kanë bërë fushatë për edukimin e grave.
Wesa ka vite që mbron të drejtën e grave për edukim, sidomos në zonat më konservatore.
Organizata e tij, Pen Path, ka mbajtur disa takime me pleqtë e fiseve dhe i ka inkurajuar komunitetet dhe autoritetet që të hapin shkolla.
Administrata e talibanëve ua ka ndaluar edukimin shumicës së grave.
Kështu të drejtat e grave janë gërryer gradualisht qëkur talebanët u kthyen në pushtet në vitin 2021 pas tërheqjes së forcave të udhëhequra nga SHBA-ja.
Vetëm djemtë dhe mësuesit meshkuj u lejuan në shkollat e mesme kur ato u rihapën në shtator 2021. Ato mund të vijojnë vetëm shkollimin fillor, por jo edhe atë të mesëm apo universitar.
Kishte një periudhë të shkurtër shprese pas një njoftimi në mars 2022 se vajzat do të lejoheshin të ndiqnin shkollat e mesme. Por nxënëset e përlotura u larguan pas asaj që dukej të ishte një kthesë e papritur nga udhëheqja.
Zyrtarët kanë thënë se janë duke punuar në rihapje të shkollave, mirëpo pa dhënë afate kohore kur mund të ndodhë diçka e tillë.