Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nën moton “Mediat nuk janë armiku”, ka kërkuar që njerëzit në pushtet të respektojnë punën e gazetarëve.
Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë që rrallë ndodhë që politikanët të jenë të kënaqur me punën e mediave.
“Ndodh rrallë që politikanët të jenë të kënaqur me punën e mediave dhe gazetarët nuk kërkojnë dhe presin një gjë të tillë. Por ajo që presin është që njerëzit në pushtet të njohin rolin dhe profesionin e gazetarit dhe ta respektojnë atë”, është shprehur Rexha.
Sipas tij, fuqia politike duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari.
“Në vend të nxitjes së urrejtjes ndaj gazetarëve, fuqia politike e pushtetarëve duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari duke adresuar fillimisht të gjitha kritikat që janë dhënë nga raporte kredibile ndërkombëtare”, shtoi ai.
Përmes një deklarate për media, Rexha ka kërkuar ndalimi i bojkotimit të mediave nga ana e politikanëve.
“Politikanët të ndalin menjëherë bojkotimin e mediave, të japin llogari rregullisht, të respektojnë legjislacionin për qasje në dokumente publike, të mos sulmojnë apo nxisin urrejtje ndaj gazetarëve, dhe të krijojnë kushte për luftimin efektiv të pandëshkueshmërisë së sulmeve ndaj gazetarëve”, ka thënë Rexha.
Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani, ka nderuar gazetarët, zëri i të cilëve sipas saj vazhdon të ngrihet për të vërtetën.
Indeksi i Lirisë së Shtypit Botëror, e ka renditur Kosovën sivjet në pozitën e 61-të, në krahasim me pozitën e 78-të, që ka mbajtur në vitin 2021.
Lidhur me këtë, Osmani ka thënë se ky indeks tregon përkushtimin institucional ndaj demokracisë.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, nderojmë gazetarët që i dhanë zë vuajtjeve tona gjatë luftës dhe ata që vazhdojnë të ngrihen për të vërtetën dhe lirinë sot. Indeksi i lirisë së shtypit është një shembull i shkëlqyer i përkushtimit tonë ndaj demokracisë”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Megjithatë, përkundër progresit, Kosova vazhdon të jetë në listën e vendeve me “situatë problematike”.