Kjo ka qenë zyra e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut deri më 6 dhjetor të vitit të kaluar, kur u sulmua me armë e u bë e papërdorshme.
KQZ-ja nuk i ka treguar Dukagjinit se cilat hapësira do të shfrytëzohet nga komisionet komunale për të përgatitur zgjedhjet e 23 prillit.
Mirëpo, televizioni ka mësuar nga burime të afërta me organizimin se pritet që zyrtarët e KQZ-së të vendosen në objektet e stacioneve të Policisë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Disa ditë më parë, KQZ-ja ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të identifikojë hapësira të sigurta në veri ku mund të përgatitet procesi zgjedhor.
Dukagjini ka pyetur edhe MPB-në rreth kësaj çështjeje, por nuk ka marrë përgjigje.
Televizioni mëson se fillimisht është shqyrtuar mundësia që KKZ-të të vendosen në objektet e Agjencisë për Regjistrimin Civil, por më pas është vendosur për stacionet policore.
Derisa ka mbetur më pak se një muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve, Policia e Kosovës thotë se ka kapacitete të plotë për të ofruar siguri në organizimin e këtij procesi.
“Po ashtu edhe në rastet kur organizohen zgjedhje lokale apo qendrore, përfshirë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat në veri të vendit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente me kohë planifikon dhe ndërmerr masat e nevojshme policore konform urdhrit operativ, i cili parasheh të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Gjatë së martës për zgjedhjet në veri dhe mundësinë që Lista Serbe të pengojë pjesëmarrjen e qytetarëve është pyetur kryeministri Albin Kurti.
Por, ai nuk ka qenë konkret.
“Për të gjitha të tjerat janë organet e shtetit, janë afatet ligjore ato që përcaktojnë se si do të zhvillohen proceset demokratike në vendin tonë, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri ku kryetarët atje për shkak se u dha urdhër Beogradi zyrtar patën dhënë dorëheqje”, ka thënë Kurti.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit në komunat veriore ishte planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor të 2022-s.
Por ato u shtynë nga presidentja Vjosa Osmani pas shqetësimeve të ndërkombëtarëve për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë gjatë fund vitit të kaluar.