Edhe 3 ditë afat për deklarimin e pasurisë, APK-ja në pritje të edhe 1400 zyrtarëve

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është në pritje të më shumë se një mijë formularëve nga zyrtarët të cilëve u kanë mbetur edhe tri ditë kohë për ta deklaruar pasurinë. Ata të cilët nuk e deklarojnë pasurinë do të gjobiten deri në 500 euro

Rreth dy mijë e 500 formularë të deklarimit të pasurisë janë dorëzuar deri të martën e kësaj jave në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kur kanë mbetur edhe tri ditë deri në mbylljen e afatit.

Janë rreth 5 mijë zyrtarë, të cilët obligohen të deklarojnë pasurinë. Nëse s’e bëjnë do të përballen me gjoba e kallëzime penale.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ka theksuar se deklarimi i pasurisë është duke vazhduar, siç ka thënë ai, me avazin e vjetër e duke u lënë për ditën e fundit.

Buleshkaj ka deklaruar se ata të cilët nuk e deklarojnë pasurinë do të gjobiten deri në 500 euro.

“Deri më tani rreth 2500 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë nga rreth 5 mijë të cilët janë të obliguar, por janë edhe 30 për qind të tjerë të cilët kanë filluar plotësimin e formularit, sepse tash e kemi vënë në funksion deklarimin elektronik të pasurisë edhe jemi në ngjarje se ku janë zyrtarët me plotësim të këtij formulari. Presim që edhe ky grupi tjetër i rreth 1 mijë e 300 apo 400 zyrtarëve ta plotësojnë shumë shpejt. Fatkeqësisht prapë po vazhdon ai avazi i vjetër ku deklarimi pasurisë kryhet në ditët e fundit, përderisa afati i fundit për deklarim të pasurisë është e premtja, prapë kemi një numër shumë të madh të atyre të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë”, është shprehur ai për EO.

Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj.

Sipas tij, mosdeklarimi me kohë është duke shkaktuar edhe problem, pasi gjatë plotësimit të formularit në momentet e fundit po bëhen gabime të mëdha. Si pasojë e gabimeve, ai ka theksuar se mund të përfundojnë në Prokurori.

“Kjo mënyrë e punës dërgon tek një problem që mund ta kenë këta zyrtarët në të ardhmen, sepse duke plotësuar formularin në momentet e fundit, po lëshohen shumë gabime të cilat pastaj mund të kenë pasoja të mëdha, qoftë në kallëzime penale, të cilat mund të përfundojnë në Prokurori”, ka thënë Buleshkaj.

Ai ka treguar se me ligjin e ri parashihet se të gjithë ata që nuk e deklarojnë me kohë pasurinë gjobiten më gjobë deri në 500 euro, e më pastaj u jepet një afat shtesë prej 15 ditësh për ta dorëzuar formularin e deklarimit të pasurisë.

“Ligji i ri i cili e parasheh dhe e rregullon mënyrën e deklarimit të pasurisë e ka paraparë që secili zyrtar i cili nuk e deklaron në kohë, e pranon një gjobë mandatore. Po besojmë që në javën e parë të prillit të gjitha ata zyrtarë të cilët nuk e kryejnë në kohë do ta marrin një gjobë e cila është deri në 500 euro, apo 30 për qind e pagës së tyre. E pastaj ju dhurohet një afat shtesë prej 15 ditësh për ta dorëzuar formularin e deklarimit të pasurisë. Pas kësaj kohë të gjitha këto raste me automatizëm do të kalohen në Prokurori”, ka deklaruar Buleshkaj.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika