Drejtori i Departamentit për Amerikë, Albert Prenkaj, është pezulluar nga puna me vendim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Ai është pezulluar nga puna deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga ana e Komisionit Disiplinor.
Deri atëherë, Prenkajt do t’i ndalohet hyrja në objektin e MPJD-së, dhe çdo veprimi tjetër që mund “t’i cenojë/dëmtojë provat” sipas lëndës së iniciuar ndaj tij.
Vendimi për pezullimin e tij është bërë përkundër që Gjykata Themelore e Prishtinës, më 20 mars, e kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e Alber Prenkajn kundër Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.
Po ashtu, sipas vendimit, është anuluar vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, dhe, sipas vendimit, çështja duhet të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje.
Në arsyetimin e MPJD-së thuhet se ka arsye të besohet se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga Prenkaj do ta pengoj hetimin disiplinor dhe verifikimin e fakteve ndaj tij.
“Udhëheqësi i drejtpërdrejtë/sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve te Jashtme dhe Diasporës me datën 28.03.2023, ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj z.Albert Prenkaj, drejtor i Departamentit për Amerika. Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, vlerëson se nëpunësi civil z.Prenkaj, ndaj të cilit zhvillohet procedura disiplinore, e pengon hetimin disiplinor dhe cenon ushtrimin e përshtatshëm të detyrës së tij, dhe ka arsye të besohet se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga nëpunësi civil z.Prenkaj, ndaj të cilit ka filluar se procedura disiplinore pengon hetimin disiplinor dhe verifikimin e fakteve, si dhe mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm te detyrës së komisionit, andaj vendosi pezullimin nëpunësit civil Z.Prenkaj, deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Komisioni vendosi si në dispozitë të këtij vendimi”, thuhet në vendim.
Prenkaj ka të drejtë të bëjë ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës në afat prej 30 ditësh.